+ B A R T O L O M E U
Me mëshirën e Perëndisë, Kryepeshkop i Konstandinopojës – Romës së Re
dhe Patriark Ekumenik;
për të Gjithë Plotësinë e Kishës,
Hiri, Mëshira dhe Paqja e Zotit dhe Shpëtimtarit tonë Jesu Krisht,
së bashku me lutjen, bekimin dhe faljen tonë, qofshin me ju të gjithë.
Shumë të nderuarve vëllezër Hierarkë dhe fëmijëve të bekuar në Zotin,
Fëmijë të dashur në Zotin,
Hiri i Perëndisë tonë të dashurisë na denjësoi edhe një herë që të hyjmë në periudhën shpirtfituese të Triodit të Kreshmës dhe të arrijmë në Kreshmën e Shenjtë dhe të Madhe, domethënë në arenën e luftës asketike të mbushur me dhurata nga lart dhe me gëzimin e Kryqit dhe Ngjalljes. Gjatë kësaj periudhe të bekuar, zbulohet me qartësi thesari shpirtëror dhe dinamizmi i jetës kishtare si dhe referenca soteriologjike e të gjitha shprehjeve të saj.
Ne kemi mësuar tashmë shumë nga ngërçi dhe arroganca e të vetë-drejtit Farise, nga moralizmi shterpë dhe zemërgurtësia e djalit të madh në Shëmbëlltyrën e “Birit Plangprishës” dhe nga pashpirtësia dhe dënimi në Ditën e Gjykimit të atyre, të cilët u treguan indiferentë ndaj “vëllezërve tanë më të vegjël” që ishin të uritur, të etur, të huaj, të zhveshur, të sëmurë dhe të burgosur. Për më tepër, vlera dhe fuqia e përulësisë dhe pendimit, e faljes dhe e mëshirës na u zbuluan si qëndrime që Kisha na thërret prerazi t’i ushqejmë në periudhën që hapet para nesh.
Kreshma e Shenjtë dhe e Madhe është një kohë e mirëseardhur e pastrimit të brendshëm dhe disiplinës fizike dhe shpirtërore, e cila – siç sapo dëgjuam në fragmentin e ungjillit që u lexua – përshkohet nëpërmjet kreshmimit, i cili nuk duhet të praktikohet “që të tjerët të mund ta shohin” dhe nëpërmjet faljes së vëllezërve dhe motrave tona: “Sepse nëse ju ua falni njerëzve gabimet e tyre, edhe Ati juaj qiellor do t’ju falë juve” (Mt. 6:14). Në fund të fundit, kjo është ajo që ne rrëfejmë çdo ditë me “Lutjen Zotërore”, kur themi: “sikundër edhe ne u’a falim fajtorëve tanë” (Mt. 6:12).
Dje, të “Shtunën e të Lidhurit të Djathit”, Kisha nderoi kujtimin e burrave dhe grave të shenjtë që shkëlqyen në jetën asketike. Shenjtorët nuk janë vetëm modele për besimtarët në luftën e mirë të jetës në Krishtin dhe sipas Krishtit. Ata janë edhe bashkëudhëtarët tanë, miq dhe përkrahës në rrugëtimin asketik të kreshmimit, pendimit dhe përuljes. Ne nuk jemi të vetëm në përpjekjet tona, por kemi Perëndinë që na inkurajon dhe na bekon, si dhe shenjtorët e dëshmorët që qëndrojnë pranë nesh dhe mbi të gjitha të Parën ndër shenjtorët dhe Nënën e Perëndisë që ndërmjetëson për të gjithë ne tek Zoti. Shenjtëria është dëshmi e fuqisë së hirit hyjnor dhe sinergjisë njerëzore në Kishë, e cila ndodh nëpërmjet pjesëmarrjes në misteret e shenjta dhe përmbushjes së porosive hyjnore. Nuk ka “devotshmëri falas” ose “Krishtërim të lehtë”, ashtu siç nuk ka “portë të gjerë” apo “rrugë të gjerë” që të çon në Mbretërinë qiellore (krh. Mt. 7:13-14).
Kisha na kujton vazhdimisht se shpëtimi nuk është një ngjarje individuale, por një ngjarje kishtare, një disiplinë e zakonshme. Gjatë Perëndi-ruajturës Kreshmë të Shenjtë dhe të Madhe, ajo që bëhet e dukshme për jetën shpirtërore të besimtarëve, është kuptimi përfundimtar i pjesëmarrjes në jetën e bashkësisë që do të thotë; në familjen e krishterë dhe enorinë, ose në bashkësinë e manastirit. Ne dëshirojmë të theksojmë funksionin e familjes së krishterë si një bashkësi jete për përjetimin shpirtëror të Kreshmës së Madhe. Paraardhësi ynë mes shenjtorëve, Joan Gojarti, e përshkroi familjen si “një kishë të vogël”[1]. Në të vërtetë, ajo që ndodh në familje është pasqyrimi i ekzistencës sonë në atë të kishës; aty zhvillohet ndjenja e karakterit social dhe komunitar të jetës njerëzore dhe të jetës në Krishtin, ashtu si edhe dashuria, respekti reciprok dhe solidariteti; dhe është aty ku përjetohet jeta dhe gëzimi i bashkëjetesës si dhuratë hyjnore.
Përpjekja e përbashkët për të zbatuar rregullin kishtar dhe karakterin e kreshmimit në kuadrin e familjes manifeston dimensionin karizmatik të jetës asketike dhe, akoma më gjerë, bindjen se çdo gjë që është e vërtetë, e nderuar dhe e drejtë në jetën tonë na vjen nga lart; që pavarësisht bashkëpunimit dhe kontributit tonë, në fund ato tejkalojnë çdo gjë që është njerëzisht e arritshme dhe e lejueshme. Në fund të fundit, aspekti i përbashkët i jetës, dashuria për njëri-tjetrin që nuk kërkon të vetën dhe virtyti i faljes, nuk i lënë vend për të “drejtat e njeriut” dhe vetëkënaqësi. Një shprehje e një fryme të tillë “lirie të përbashkët” dhe asketizmit eukaristik është pikërisht lidhja e pandashme ndërmjet kreshmimit, bamirësisë dhe pjesëmarrjes në enoritë dhe jetën liturgjike të Kishës. Të jetuarit e këtij “shpirti të Kreshmës” brenda një familjeje të krishterë na çon në thellësinë e së vërtetës në përvojën kishtare dhe përbën vendlindjen dhe burimin e dëshmisë së krishterë në botën tonë të laicizuar bashkëkohore.
Vëllezër dhe fëmijë, lutuni që të gjithë të udhëtojmë me zell hyjnor në rrugën e Kreshmës së Shenjtë dhe të Madhe me kreshmim e pendim, në lutje e përulësi, duke bërë paqe brenda vetes tonë dhe me njëri-tjetrin, duke ndarë në jetë dhe duke treguar veten tonë “fqinj” të atyre që kanë nevojë nëpërmjet veprave të bamirësisë, duke falur njëri-tjetrin dhe duke lavdëruar në çdo rrethanë emrin e Perëndisë së mëshirës, që është mbi qiej, duke iu lutur Atij të na konsiderojë të denjë për të arritur Javën e Shenjtë dhe të Madhe me mendje të pastër dhe për të adhuruar me gëzim dhe kënaqësi Ngjalljen e Tij të mrekullueshme.
Kreshma e Shenjtë dhe e Madhe 2024
† Bartolomeu i Konstandinopojës
Lutës i zjarrtë për të gjithë përpara Perëndisë
[1]Komente të Letrës për Efesianët 20, PG 62.143
________-
photo: Nicholas Papachristou