
+ B A R T O L O M E U
Me mëshirën e Perëndisë, Kryepeshkop i Konstandinopojës – Romës së Re
dhe Patriark Ekumenik;
për të Gjithë Plotësinë e Kishës,
Hiri, Mëshira dhe Paqja e Zotit dhe Shpëtimtarit tonë Jesu Krisht,
së bashku me lutjen, bekimin dhe faljen tonë, qofshin me ju të gjithë.
* * *
Shumë të nderuarve vëllezër Hierarkë dhe fëmijëve të bekuar në Zotin,
Edhe një herë, me vullnetin dhe hirin e Perëndisë, dhuruesi i të gjitha të mirave, po hyjmë në Kreshmën e Madhe dhe të Shenjtë, në periudhën e bekuar të kreshmimit e të pendimit, të vigjilencës shpirtërore dhe të udhëtimit me Zotin, teksa Ai vjen vullnetarisht në pësimin e Tij, për të arritur në nderimin e Ngjalljes së Tij të mrekullueshme dhe për t’u bërë të denjë për kalimin tonë nga gjërat tokësore tek “ajo që asnjë sy nuk e ka parë dhe asnjë vesh nuk e ka dëgjuar dhe asnjë zemër njerëzore nuk është ngjitur” (1 Kor. 2,9).
Në kishën e hershme, Kreshma e Madhe dhe e Shenjtë ishte periudha e përgatitjes së katekumenëve, pagëzimi i të cilëve bëhej gjatë Liturgjisë Hyjnore të Festës së Pashkëve. Kjo lidhje me pagëzimin ruhet edhe nga të kuptuarit dhe përvoja e Kreshmës së Madhe si periudha par excellence (kryesisht) e pendimit që përshkruhet si “një ripërtëritje pagëzimi”, “një pagëzim i dytë”, “një kontratë me Perëndinë për një jetë të dytë”, me fjalë të tjera një ripërtëritje e dhuratave të pagëzimit dhe premtimi ndaj Perëndisë për fillimin e një mënyre të re jetese. Shërbesat dhe himnet e kësaj stine e lidhin luftën shpirtërore të besimtarëve me pritjen e Pashkës së Zotit, ku kreshmimi dyzetditor rrezaton aromën e gëzimit të Pashkës.
Kreshma e Madhe dhe e Shenjtë është një mundësi për t’u bërë të ndërgjegjshëm për thellësinë dhe pasurinë e besimit tonë si “një takim personal me Krishtin”. Me të drejtë theksohet se krishtërimi është “jashtëzakonisht personal”, por kjo nuk do të thotë se ai është “individualist”. Besimtarët “takojnë, njohin dhe duan një Krisht dhe të njëjtin”, i cili, “i vetëm dhe i vetmi, zbuloi personin e vërtetë dhe të përsosur njerëzor” (Nikola Kabasilas). Ai i fton të gjithë njerëzit – dhe çdo person individualisht – në shpëtim, në mënyrë që përgjigja e secilit të jetë gjithmonë “e bazuar në besimin e përbashkët” dhe “në të njëjtën kohë të jetë unike”.
Kujtojmë fjalët e Shën Pavlit se “nuk jetoj më unë, por Krishti që jeton në mua; dhe jetën që jetoj tani në trup, e jetoj me anë të besimit në Birin e Perëndisë, që më deshi dhe dha veten për mua” (Gal. 2:20). Në këtë rast, fjalët “në mua”, “unë” dhe “për mua” nuk bien ndesh me fjalët “në ne”, “ne’ dhe “për ne” duke iu referuar “shpëtimit tonë të përbashkët”. Gjithnjë mirënjohës për dhuratat qiellore të rilindjes së tij në Krishtin, Apostulli i lirisë “e bën të tijën atë çfarë ndahet”, sikur Fjala e parapërjetshme e Perëndisë u mishërua, u kryqëzua dhe u ngjall “për të personalisht”.
Përvoja jonë e besimit është “unike” dhe “thellësisht personale” si një liri që na është dhënë nga Krishti, si diçka që është në të njëjtën kohë “thelbësisht kishtare”, një përvojë “e lirisë së përbashkët”. Kjo, liria më e vërtetë në Krishtin, shprehet si dashuri dhe mbështetje e aplikuar për fqinjin tonë konkret, siç përshkruhet në shëmbëlltyrën e Samaritanit të Mirë (Luka 10.30–37) dhe në fragmentin rreth Gjykimit të Fundit (Mt. 25.31–46), por edhe si respekt dhe shqetësim për botën dhe qasjen eukaristike ndaj krijesës. Liria në Krishtin ka një natyrë personale dhe gjithëpërfshirëse, e cila shfaqet veçanërisht gjatë Kreshmës së Madhe dhe të Shenjtë në kuptimin e asketizmit dhe kreshmimit. Liria e krishterë, si autenticitet dhe plotësi ekzistenciale, nuk përfshin një asketizëm të zymtë, një jetë pa hir dhe gëzim, “sikur Krishti të mos kishte ardhur kurrë”. Për më tepër, kreshmimi nuk është vetëm “frenim nga ushqimi”, por “heqje dorë nga mëkati”, një luftë kundër egoizmit, një largim me dashuri nga vetja te vëllai në nevojë, “një zemër që digjet për hir të gjithë krijesës”. Natyra gjithëpërfshirëse e spiritualitetit mbështetet nga përvoja e Kreshmës së Madhe si një udhëtim drejt Pashkës dhe si një shije paraprake e “lirisë së lavdishme të fëmijëve të Perëndisë” (Rom. 8:21).
Ne lutemi që Shpëtimtari ynë Jesu Krisht të na bëjë të gjithëve të denjë për të ecur në rrugën e Kreshmës së Madhe dhe të Shenjtë me askezë, pendim, falje, lutje dhe liri hyjnore. Dhe përfundojmë me fjalët e atit tonë shpirtëror, të ndjerit Mitropolitit Meliton i Kalqedonit, gjatë Liturgjisë Hyjnore të së dielës të Lidhurit të Djathit në vitin 1970 në Katedralen Mitropolitane të Athinës: “Ndërsa hyjmë në Kreshmën e Shenjtë, ajo që na pret në fund është vizioni, mrekullia dhe përvoja e Ngjalljes, përvoja kryesore e Kishës Ortodokse. Le të vazhdojmë drejt këtij vizioni dhe përjetimi, por jo pa marrë e pa ofruar falje, jo me një kreshmim thjesht nga mishi dhe vaji, jo me një ndjenjë hipokrizie, por me lirinë hyjnore, në shpirt dhe të vërtetë, në frymën e së vërtetës, në të vërtetën e shpirtit.”
Kreshma e Madhe dhe e Shenjtë 2025
✠ BARTOLOMEU i Konstandinopojës
Lutës i zjarrtë për të gjithë përpara Perëndisë
_________
photo: Nikos Papachristou