
† B A R T O L O M E U
ME MËSHIRËN E PERËNDISË
KRYEPESHKOP I KONSTANTINOPOJËS–ROMËS SË RE
DHE PATRIARK EKUMENIK
HIR, PAQE, DHE MËSHIRË
MBI TË GJITHË PLOTËSINË E KISHËS
NGA KRIJUESI I GJITHË KRIJIMIT
ZOTI DHE PERËNDIA DHE SHPËTIMTARI YNË JESU KRISHT
* * *
Shumë të nderuarve vëllezër Hierarkë dhe fëmijëve të bekuar në Zotin,
Me hirin e Perëndisë, dhënësit të të gjitha gjërave të mira, ne hyjmë sot në vitin e ri kishtar, duke nderuar dhe festuar fillimin e tij, me psalme, himne dhe këngë shpirtërore, “Ditën e Lutjes për Mbrojtjen e Mjedisit Natyror”.
Kriza shumëdimensionale bashkëkohore ekologjike është një krizë e lirisë njerëzore, e fesë dhe filozofisë sonë, e etosit dhe kulturës sonë. Ajo që vjen e para është “ndryshimi i dëmshëm” i lirisë sonë, ndarja dhe tjetërsimi ynë nga Burimi i Jetës; ajo që vjen më pas është sjellja shkatërruese e mjedisit natyror. Ne ndiejmë mirënjohje të thellë që iniciativat dhe ndërhyrjet pioniere të Patriarkanës Ekumenike, të kryera pa ndërprerje që nga viti 1989, jo vetëm që kanë zbuluar aspektet shpirtërore të problemit ekologjik, por kanë hapur edhe shtigje dhe perspektiva të reja për adresimin e tij. Simpoziumet ekologjike, dialogët ndërkristianë dhe ndërfetarë të lidhur me to, rekomandimet specifike të Kishës së Madhe në lidhje me çështjet mjedisore, theksi i vënë në dimensionet dhe pasojat sociale të krizës ekologjike, dhe përpjekje të tjera të tilla së bashku përbëjnë një propozim të fuqishëm mjedisor, i cili thekson nevojën imperative për një “Kthesë Kopernikane” në kuptimin tonë të idesë së progresit dhe në qëndrimin e njerëzimit ndaj natyrës, si dhe në veprimet e atyre që janë të angazhuar në jetën politike, ekonomike dhe shoqërore, të Kishave dhe feve, të shkencës dhe teknologjisë, dhe të atyre që janë përgjegjës për edukimin e brezit të ri.
Ne do të vazhdojmë, me fjalë dhe me vepra, të promovojmë vizionin ekologjik të Kishës së Shenjtë të Madhe të Krishtit dhe dinamizmin miqësor ndaj mjedisit të marrëdhënies eukaristike, asketike dhe doksologjike me krijimin, duke nënvizuar gjithmonë se nevojitet punë e kujdesshme teologjike për sqarimin e mesazhit autentik ekologjik të Besimit dhe Traditës sonë Ortodokse, në dobi të krijimit, i cili është “shumë i mirë“.
Ne jemi të bindur se nxjerrja në pah e dimensioneve fetare dhe etike të kërcënimit ekologjik do të çojë në një ndërgjegjësim për rëndësinë thelbësore të “përgjegjësisë ekologjike“. Njerëzimi më në fund duhet të ndalojë së vepruari sikur nuk e di dhe të hedhë mënjanë përfundimisht iluzionin se planeti Tokë mund t’i rezistojë përgjithmonë barrës dhe shkatërrimit të shkaktuar nga aktiviteti njerëzor, ose se natyra ka fuqinë të ripërtërihet vetë. Etosi i përgjegjësisë për mbrojtjen e mjedisit natyror duhet të gjejë shprehje në nivel global, kombëtar, lokal dhe personal. Ne përsërisim edhe një herë se kultivimi i përgjegjësisë ekologjike është një “detyrim kategorik“ për njerëzimin, ndërsa përballet me kërcënimin më të madh që ka hasur ndonjëherë gjatë gjithë historisë së tij.
Është plotësisht e qartë se, për sa kohë që modeli mbizotërues antropologjik përfaqësohet nga “njeriu i pasur e i marrë“ i Ungjillit (Luka 12:17-21), me deklaratën e tij: “Do t’i shemb hambaret e mia dhe do të ndërtoj më të mëdha; dhe atje do të grumbulloj të gjitha të korrat dhe mallrat e mia“, dhe fjalët e tij: “Shpirt, ti ke shumë të mira të grumbulluara për shumë vite; pusho, ha, pi dhe gëzohu“, njerëzimi do të vazhdojë të minojë të ardhmen e tij dhe të shkatërrojë “shtëpinë“ e tij. “Mëkatet e modernitetit“ kanë krijuar – dhe vazhdojnë të krijojnë – ndarje dhe çarje të reja midis njerëzimit dhe natyrës. “Njeri–zoti“ bashkëkohor vazhdon në gjenocid, duke shpërfillur çdo masë dhe kufi në emër të planeve gjeopolitike dhe interesave ekonomike, të konsumerizmit dhe të kënaqësisë së nevojave në thelb të pangopura, por edhe, në një nivel më të thellë, për shkak të përmbysjes së përvojës dhe vlerave të brendshme të jetuara. Pasojat e dominimit global të dëshirës për të manipuluar, instrumentalizuar dhe shfrytëzuar natyrën do të provohen të jetë tragjike për jetën në planetin tonë.
Pranimi në rritje dhe vendosja zyrtare e 1 shtatorit si Dita për Mbrojtjen e Mjedisit Natyror në të gjithë botën e krishterë ka një rëndësi të veçantë sot si një simbol dhe promovim praktik i unitetit të të krishterëve. Për më tepër, lavdia e “Krijuesit të gjithë krijimit“ në fillim të Indiktit në traditën tonë liturgjike përbën një trashëgimi të çmuar, si një ftesë dhe nxitje për të respektuar krijimin, i cili vuan pasojat e një sulmi të pahijshëm, të shkaktuar nga njeriu.
Vëllezër shumë të Nderuar dhe fëmijë të dashur,
Respekti për shtyllat kryesore të qytetërimit ekologjik mund të frenojë tendencat shkatërruese mjedisore dhe të hapë “rrugën e vetme ekologjike“, atë të zhvillimit të qëndrueshëm. Më gjerësisht, njerëzimi duhet të arrijë një marrëveshje mbi një sërë vlerash themelore të përbashkëta të cilat, në një botë të shënuar nga konflikti dhe polarizimi, do të shërbejnë si busull për udhëtimin drejt së ardhmes. Ne e konsiderojmë parimin e solidaritetit si boshtin qendror të këtij trupi vlerash: solidaritetin si burim përgjegjësie të përbashkët, dialogu dhe reciprociteti të sinqertë, së bashku me përgjegjësinë kolektive për mbrojtjen e mjedisit natyror. Respekti në praktikë për shenjtërinë e personit njerëzor dhe kujdesi për integritetin e krijimit janë, nga një perspektivë e krishterë, manifestime jetësore të realizimit eukaristik të Kishës dhe të thirrjes së qenies njerëzore për t’u bërë “prifti“ i krijimit.
Në këtë frymë, ndërsa lutemi që viti i ri kishtar të jetë i favorshëm dhe i frytshëm në vepra të mira dhe të këndshme, për Perëndinë, ju lutemi të gjithëve ju, nëpërmjet ndërmjetimeve dhe lutjeve të Hyjlindëses së Tërëshenjtë Pammakarístos (Gjithë-Bekuara)— ikonën më të shenjtë të së cilës ne e mbajmë me nderim në Kishën e Nderuar Patriarkale dhe përqafojmë “me gojë, zemër dhe vullnet“ – hirin dhe mëshirën e Zotit, Perëndisë dhe Shpëtimtarit tonë Jesu Krisht, Emri i Tërëshenjtë i të Cilit qoftë i bekuar dhe i lavdëruar, tani e përherë e në jetë të jetëve. Amin!
1 Shtator 2026
† Bartolomeu i Constandinopojës
Lutës i zjarrtë për të gjithë ju përpara Perëndisë






