
+ B A R T O L O M E U
Prej mëshirës së Perëndisë, Kryepeshkop i Konstandinopojës-Romës së Re
dhe Patriark Ekumenik
Për Plotësinë e Kishës: Hiri dhe Paqja e Perëndisë qofshin me ju!
I ofrojmë një himn falenderimi Perëndisë së Plotfuqishëm, Gjithëshikues dhe mirëdashës në Trinitet, i Cili garantoi që populli i Tij të arrijë 1700-vjetorin e Sinodit të Parë Ekumenik në Nikea, i cili mbarti dëshmi shpirtërore për besimin autentik në Fjalën hyjnore të lindur pa fillim dhe me të vërtetë i njëqenshëm me Atin, “që për ne dhe për shpëtimin tonë zbriti, u mishërua dhe u bë njeri, vuajti dhe u ngjall në ditën e tretë dhe u ngjit në qiej, i Cili do të vijnë përsëri për të gjykuar të gjallët dhe të vdekurit.”
Sinodi i Nikesë përbën një shprehje të natyrës sinodale të Kishës, kulmin e ”sinodalitetit më të hershëm” të saj, i cili është e lidhur në mënyrë të pandashme me perceptimin eukaristik të jetës kishtare, si dhe me praktikën e mbledhjes së bashku për vendime “me një mendje” (Veprat 2:1) për çështjet aktuale. Sinodi në Nikea nënkupton gjithashtu shfaqjen e një strukture të re sinodike, përkatësisht të Sinodeve Ekumenike që do të ishin përfundimtare për zhvillimin e çështjeve të kishës. Vlen të përmendet se Sinodet Ekumenike nuk përbëjnë një “institucion të përhershëm” në jetën e Kishës, por një “ngjarje të jashtëzakonshme” në përgjigje të një kërcënimi specifik ndaj besimit, që synon rivendosjen e unitetit të thyer dhe të bashkimit eukaristik.
Fakti që Sinodi i Nikesë u mblodh nga Perandori, që Konstandini i Madh mori pjesë në diskutimet e tij dhe përqafoi vendimet e tij me statusin e ligjit perandorak, nuk e bën atë “një sinod perandorak”.[1] Ishte padiskutueshmërisht një “ngjarje kishtare” përmes së cilës Kisha, e udhëhequr nga Shpirti i Shenjtë, vendosi rreth punëve të saj të brendshme, ndërsa Perandori zbatoi parimin “Jepini Cezarit gjërat që i përkasin Cezarit dhe Perëndisë gjërat që i përkasin Perëndisë” (Mt. 22:21).
Përballë herezisë ariane, Kisha, në sinod, formuloi thelbin e besimit të saj, i cili përjetohet pandërprerë. Biri e parapërjetshëm dhe Fjalë e Perëndisë, “i njëqenëshëm me Atin … Perëndi i vërtetë prej Perëndisë së vërtetë”, nëpërmjet mishërimit të Tij, e shpëton njerëzimin nga skllavëria ndaj armikut dhe na hap rrugën e hyjnizimit nëpërmjet hirit. “Ai u bënjeri që ne të bëhemi hyjnor.”[2] Simboli i Nikesë shpall bindjen e sigurt se devijimi i vazhdueshëm heretik përbën një mohim të potencialit për shpëtimin e njeriut. Në këtë kuptim, nuk është thjesht një deklaratë teorike, por një rrëfim besimi, ashtu si të gjitha tekstet dogmatike të Kishës, një artikulim i mirëfilltë i së vërtetës së gjallë brenda saj dhe përmes saj.
Ajo që ka një rëndësi të veçantë teologjike është fakti se baza e Simbolit të Shenjtë “Ne besojmë …” përfshin një Simbol pagëzimi lokal ose grup simbolesh të tilla. Si bartës i vërtetë i vetë-ndërgjegjes së përherëshme të Kishës, Sinodi ripërmbledh dhe ripohon thesarin apostolik të ruajtur nga kishat lokale. Athanasi i Madh përmend se Etërit Sinodalë “në çështjet e besimit, nuk shkruan “Na u duk . . .” por përkundrazi “Kjo është ajo që beson Kisha katolike (universale); dhe menjëherë rrëfyen çfarë ata besojnë, për të treguar se asgjë e re nuk u zbulua në çfarë ata shkruan, por se mendësia e tyre është apostolike, me fjalë të tjera pikërisht siç ja u kishin mësuar apostujt.”[3] Bindja e Etërve të udhëzuar hyjnisht ishte se asgjë nuk iu shtua besimit të Apostujve dhe se Simboli vërtet ekumenik i Nikesë përbën një shpallje të traditës së përbashkët të Kishës katolike (universale). Etërit Sinodalë, të cilët Kisha Ortodokse i nderon dhe himnizon denjësisht si “mbrojtës të saktë të traditave apostolike”, përvetësuan termin filozofik “esencë” (dhe derivatin e tij “të një esence”) për të shprehur Besimin Ortodoks në lidhje me hyjninë e Fjalës, të cilën Ariosi e mohoi dhe së bashku me të mohoi të gjithë misterin e mishërimit shpëtimtar universal të Ikonomisë Hyjnore duke u ngatërruar në konceptet helenistike, duke refuzuar kështu “Perëndinë e Etërve tanë” në emër të “Perëndisë së filozofëve”.
Një çështje tjetër me rëndësi jetike, për të cilën Sinodi i Nikesë u thirr ta zgjidhte për hir të përmirësimit të unitetit kishtar në praktikën liturgjike, ishte “kur dhe si duhet të kremtojmë Festën e Pashkës”. 1700-vjetori i thirrjes së këtij Sinodi ka rikthyer në kohë çështjen e një kremtimi të përbashkët të Ngjalljes së Zotit. Kisha e Shenjtë e Madhe e Krishtit lutet që të Krishterët në mbarë botën të kthehen, në përputhje me dekretet e Sinodit të Nikesë, tek kremtimi i Pashkëve në një ditë të përbashkët, siç ishte edhe rastësia e bekuar e këtij viti. Një vendim i tillë do të shërbente si dëshmi dhe si një simbol i përparimit të vërtetë në luftën për bashkëjetesën dhe bashkëkuptimin tonë ekumenik përmes dialogut teologjik dhe “dialogut të jetës”, si një dëshmi e prekshme e respektit tonë praktik për atë që kemi marrë nga Kisha e pandarë. Arritja e një qëllimi të tillë, në kuadër të përvjetorit të këtij viti, ishte vizioni i përbashkët i të ndjerit Papa Françeskut të Romës dhe Modestisë sonë. Vdekja e tij menjëherë pasi i gjithë Krishtërimi kremtoi Pashkët thekson përgjegjësinë tonë për të vazhduar në këtë drejtim pa u lëkundur.
Për më tepër, puna kanonike e Sinodit të Nikesë ishte gjithashtu domethënëse, duke formuluar dhe afirmuar në mënyrë sinodike ndërgjegjen kanonike të përherëshme të Kishës, duke vendosur fillimin dhe ngritjen e statusit të sistemit mitropolitan, si dhe të pozitës së spikatur dhe të përgjegjësisë së zgjeruar të disa Froneve, nga të cilët doli gradualisht sistemi i Pentarkisë. Meqenëse trashëgimia kanonike e Nikesë është një trashëgimi e përbashkët për të gjithë botën e Krishterë, përvjetori i këtij viti është thirrur të funksionojë si një ftesë për t’u kthyer në burimet, përkatësisht në rregulloret kanonike të herëshme të Kishës së pandarë.
Froni Ekumenik i Konstandinopojës ka shërbyer përgjithmonë si garantues i vendimeve të Nikesë. Kjo frymë e Kishës së Madhe u përshkrua edhe përmes Enciklikës Patriarkale dhe Sinodale në 1600 vjetorin e Sinodit “si i pari Sinod Ekumenik dhe vërtet më i madhi i Kishës.”[4] Vendimi për të festuar përvjetorin me “një ngjarje festive dhe, në të vërtetë, të përbashkët, nëse është e mundur, të të gjitha Kishave Ortodokse Autoqefale, për të manifestuar sëbashku besimin dhe këmbënguljen deri më sot të Kishës sonë të Shenjtë Ortodokse në mësimet dhe frymën e atij Sinodi, vendimet e frymëzuara të të cilit, nga njëra anë, themeluan dhe vulosën besimin e njëjtë të Kishës, ndërsa nga ana tjetër prezanton gjithashtu shkëlqyeshëm unitetin e strukturës së kishës përmes pranisë së delegatëve nga të gjitha skajet e botës.” Megjithatë, për fat të keq, kjo ngjarje nuk doli e realizueshme për shkak të rrethanave të jashtëzakonshme dhe boshllëkut të Fronit Ekumenik. Më 19 korrik 1925, të dielën e parë pas fronëzimit të Patriarkut Vasili III, “angazhimi i vonuar” u përmbush me kremtimin e “një Liturgjie të veçantë Patriarkale dhe Sinodale” në Kishën e nderuar Patriarkale. Ajo që ka një rëndësi të veçantë eklesiologjike është se Enciklika nënvizon vlerësimin për të adoptuar detyrimin e Kishës së Konstandinopojës – “si më drejtpërdrejt e lidhur dhe përgjegjëse për festën” – për të kremtuar këtë përvjetor “i cili është i jashtëzakonshëm për të gjithë Krishtërimin . . .”
Sinodi i Nikesë përbën një moment historik në formimin e identitetit doktrinor dhe strukturës kanonike të Kishës. Ai mbeti modeli për trajtimin e problemeve të besimit dhe rendit kanonik në nivel ekumenik. 1700-vjetori i mbledhjes së tij i kujton Krishtërimit traditat e Kishës së lashtë, vlerën e luftës së ndërsjellë kundër keq-konceptimeve të besimit të Krishterë dhe misionin e besimtarëve për të kontribuar në shumimin e “fryteve të mira” të jetës në Krishtin, sipas Krishtit, dhe drejtuar ndaj Krishtit në botë.
Sot, ne jemi të thirrur të nxjerrim në pah mesazhin e qëndrueshëm të Sinodit të Parë Ekumenik në Nikea, dimensionet sotiriologjike dhe implikimet antropologjike të termit “homo-ousios”, lidhja e pandashme midis Kristologjisë dhe antropologjisë në një epokë konfuzioni antropologjik dhe përpjekjeve intensive për të theksuar “meta-njerëzorin” si një horizont të hapur dhe perspektivën e “vetë-hyjnëzimin” të evolucionit njerëzor, me kontributin e shkencës dhe teknologjisë. Parimi i “realitetit hyjnor-njerëzor” përbën përgjigjen ndaj ngërçit të vizionit bashkëkohor të një “njeriut-perëndi”. Prandaj, referimi tek “shpirti i Nikesë” na paraqet një ftesë për t’u kthyer në aspektet thelbësore të besimit tonë, bërthama e të cilit është shpëtimi i njerëzimit në Krishtin.
Zoti dhe Shpëtimtari ynë, Jesu Krishti, është zbulesa e plotë dhe e përsosur e së vërtetës rreth Perëndisë dhe njeriut. “Kush më ka parë Mua, ka parë Atin Tim” (Joani 14:9). Fjala e mishëruar e Perëndisë tregoi “i pari dhe i vetmi”, siç shkruan Shën Nikolla Kavasila, “qenien njerëzore të vërtetë dhe të përsosur, shembullore në sjellje, në mënyrën e jetesës dhe në çdo aspekt tjetër.”[5] Kjo e Vërtetë përfaqësohet në botë nga Një Kishë, e Shenjtë, Katolike dhe Apostolike; është e njëjta e Vërtetë që e ushqen atë, e njëjta e Vërtetë që ajo i shërben. Kisha mban rrobën e së Vërtetës, “të endur nga teologjia prej së lartazi”, duke shpjeguar dhe lavdëruar gjithmonë drejtësisht “misterin e madh të devotshmërisë”, duke ungjillëzuar fjalën e besimit, shpresës dhe dashurisë, ndërsa parashikon “ditën e pafundme që nuk njeh mbrëmje dhe asnjë pasardhës”,[6] mbretërinë e ardhshme të Atit dhe të Birit dhe të Shpirtit të Shenjtë.
Detyra e teologjisë është të zbulojë dimensionin sotiriologjik të doktrinës dhe interpretimin e saj në terma ekzistencialë, i cili, së bashku me pjesëmarrjen në ngjarjen kishtare, kërkon ndjeshmëri dhe interes të vërtetë për qenien njerëzore dhe aventurën e lirisë së tij. Në këtë kuptim, shpallja e besimit tonë në Fjalën hyjnore të mishëruar duhet të shoqërohet me përgjigjen tonë të prekshme ndaj fjalës së Tij shpëtimtare: “Kjo është porosia ime për ju, që ta doni njëri-tjetrin ashtu sikurse Unë ju desha juve” (Joani 15:12).
Në kujtim, pra, të dhuratave të pashprehura që Ai bëri dhe bën në botë, ne lavdërojmë papushim emrin e tërëshenjtë dhe tërëshkëlqyer të Zotit të të gjithëve dhe Perëndisë së dashurisë, nëpërmjet të Cilit njohëm Atin dhe nëpërmjet të Cilit Shpirti i Shenjtë erdhi në botë. Amin!
Më 1 të qershorit, në vitin e Zotit 2025.
___________
1. Mitropoliti Joan i Pergamit, “Punët”, Vëll. 1: Studime Kishtare (Athinë: Librat “Domos”, 2016), 675-6.
2. Athanasi i Madh, “Mbi Mishërimin Hyjnor”, Fq 25.192.
3. Athanasi i Madh, “Letër për Sinodet e Ariminum (Rimini) në Itali dhe Seleucia (Silicia) në Isauria (Turqi), Fq 26.688.
4. Procesverbali Sinodal, “Kodeks” I, 94 (10 gusht 1925), 102–3.
5. Nikolla Kavasila, “Mbi Jetën në Krishtin”, Fq 150.680.
6. Vasili i Madh, “Mbi Heksaemeron”, Fq 29,52.



